Mjeku gjerman akuzohet për vrasjen e 15 pacientëve
Mjeku i kujdesit paliativ në Berlin akuzohet për vrasjen e pacientëve, që variojnë nga mosha 25 deri në 94 vjeç, me kombinime vdekjeprurëse medikamentesh midis viteve 2021 dhe 2024

Berlin
Një mjek 40-vjeçar është akuzuar për vrasjen e 15 pacientëve nën kujdesin e tij, njoftuan prokurorët e Berlinit, transmeton Anadolu.
Mjeku i kujdesit paliativ, i identifikuar vetëm si Johannes M., akuzohet për administrimin e kombinimeve vdekjeprurëse të barnave ndaj pacientëve nën kujdesin e tij pa dijeninë ose pëlqimin e tyre nga shtatori 2021 deri në korrik 2024.
Mosha e viktimave varionte nga 25 deri në 94 vjeç.
Mjeku ndodhet në paraburgim në Berlin që prej 6 gushtit 2024, pasi fillimisht u arrestua për katër vdekje. Sipas zyrës së prokurorit të Berlinit, ai ende nuk është deklaruar për akuzat.
Prokurorët fillimisht kishin identifikuar tetë viktima në fund të vitit të kaluar. Ndërsa hetimi u zgjerua, ata zbuluan shtatë raste të tjera. Grupi i posaçëm hetimor aktualisht po shqyrton edhe 75 vrasje të tjera të mundshme, thuhet në një deklaratë.
Në disa raste, hetuesit besojnë se mjeku u ka vënë zjarrin banesave të viktimave për të shkatërruar provat.
E përditshmja "Berliner Zeitung" raportoi se i dyshuari ka shkruar disertacionin e tij në Universitetin Goethe të Frankfurtit mbi studime të homicideve, të titulluar "Homicidet në Frankfurt am Main - Një përmbledhje nga 1945 deri në 2008".
Pasi u transferua në Berlin në vitin 2021, ai punoi për një ekip të kujdesit paliativ në Tempelhof dhe një shërbim infermieror në Kreuzberg.